Bislimi pas takimit me Lajçakun: Çështja e dinarit nuk është punë negociatash
Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takim është biseduar mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e marrëveshjes bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi, ka ritheksuar se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve.
Bislimi ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribuojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes.
Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës është kërkuar nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku ka shprehur se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre.
Në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës është sqaruar dhe nga emisari Lajçak se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë nuk ndërlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.
Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi, ka sqaruar se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave në mes të palëve.
Po ashtu, ai ka siguruar Lajçakun se qeveria ështё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale.
“Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP-i, ashtu edhe nga KPM-ja”, ka njoftuar qeveria.
Zëvendëskryeministri Bislimi, ka adresuar edhe çështjen e pasaportave ilegale, ku ka nënvizuar se propozimi për njohjen e tyre vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.
Në përfundim, ai e ka njoftuar emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe ka përmendur raportin më të fundit të UNDP-së, i cili ka konstatuar rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3 për qind dhe 33.8 për qind sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6 për qind.