Bislimi pas takimit trepalësh: Pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

02 korrik 2024 | 22:14

Pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë bisedimeve në Bruksel, tha të martën vonë kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin.

Takimi trepalësh filloi me vonesë, pasi bisedimet dypalëshe ndërmjet palës evropiane dhe asaj serbe zgjatën mbi dy orë, dyfish më gjatë sesa ishte planifikuar./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në hapësirat e Ambasadës amerikane në Prishtinë, sot po festohet…