Bislimi për deklaratat e Gërvallës: Nuk është krim të mbrohet BE-ja
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se termin “të pamatura” nuk mund ta përdorë për asnjë deklaratë të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Ai është pyetur për deklaratën e Gërvallës në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane nga deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila ka thënë se do që ta dijë nëse Gërvalla është në vijë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës derisa kryediplomatja “ka mbrojtur BE-në”.
“Fillimisht BE-në nuk e kemi armik që do të thotë se s’është krim që dikush ta mbrojë atë ose që përdorë fjalë pozitive në terminologji kur përmendet BE-ja. Përkundrazi, e shoh si një konfirmim të raporteve të mira që Kosova ka me BE-në. E dyta, është fakt që ne kushtet teknike i kemi plotësuar në vitin 2018. I vetmi problem është në Këshillin e Evropian. Të paktën dy shtete hezitojnë të votojnë në favor të liberalizimit, Franca dhe Holanda, të cilat kanë brengat e tyre në implementimin në praktikë të sundimit të ligjit për arsye që mendojnë se ende ka Kosova hapa për të dëshmuar se ka arritur progres në zbatimin e ligjit”, ka thënë Bislimi.
Ditë më parë Gërvalla ka thënë se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta fajësojnë Bashkimin Evropian për gabimet e veta.
“Duhet të vlerësohet, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe prapambetjes, Bashkimi Evropian na ka ofruar më të mirën që ka mundur, perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm në historinë e Evropës”, kishte thënë Gërvalla në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut.