Bislimi pret në takim emisarin gjerman: Qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin të lirë në zonën Schengen
Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur të shtunën në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Gjatë këtij takimi Bislimi e njoftoi emisarin Sarrazin për përkushtimin e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe për proceset integruese.
“Me emisarin e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ritheksova mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj Gjermanisë, për mbështetjen e vazhdueshme në proceset për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin të lirë në zonën Schengen.
“Zhvillimi që ka njohur vendi ynë na e bën të detyrueshme angazhimin maksimal në arritjen e objektivave në rrugën drejt BE-së dhe drejt anëtarësimit historik në Këshillin e Evropës”.
“Gjithashtu, përsa i përket dialogut, potencova se Kosova vazhdon të jetë pala konstruktive në këtë proces, përderisa pala tjetër vazhdon të refuzojë takimet trilaterale dhe tentativat tona të përbashkëta me BE-në për arritjen e marrëveshjeve për targat e veturave dhe energjinë”, ka shkruar Bislimi.