Bislimi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë, Pavel Bilek.
Në këtë takim palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve tona si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e poashtu dhe në Prishtinë.
U theksua bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza.
Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet.
Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE.
Në takim u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është shtet sovran, i cili ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore, dhe është në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi fat e suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimin e tij të radhës.