Bislimi: Prokuroria të merret me Abelard Tahirin, u kthye kah unë më fyu e shau
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka dalë në foltoren e Kuvendit dhe ka thënë se shefi i grupi parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka sharë dhe fyer pasi iu ndal mikrofoni.
“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”, ka thënë Bislimi në foltore.
Derisa kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka kërkuar që të kenë kujdes me gjuhën edhe nga ana e Qeverisë edhe nga ana e deputetëve.
Tahiri më pas është kundërpërgjigjur duke thënë se Bislimi është në “gjendje të rëndë” dhe se në foltore po flet akuza të pabaza.