Bislimi: Protesta e sotme në mbështetje të Kosovës euroatlantike dhe kundër pushtetit të dhunshëm
Sali Bislimi, veprimtar, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, dhe drejtor i organizatës joqeveritare “Zëri Perëndimor i Kosovës”, ka thënë se protesta e sotme në Prishtinë është në mbështetje të Kosovës euro-atlantike dhe për të kundërshtuar pushtetin e kapur, të dhunshëm dhe populist.
“Sot, më 15 korrik, në ora 18:00 është thirrur një proteste qytetare në Prishtinë, e cila ka për qëllim kundërshtimin e koordinimit të pushtetit aktual me kriminelin serb, Milan Radojçiq në dëm të shtetit të Kosovës dhe të partneritetit me ShBA-në dhe BE-në. Kjo qeveri aktuale lërë më që nuk e mbajti asnjë premtim elektoral, por, është duke rrezikuar sovranitetit e Republikës së Kosovës dhe vet themelet e shtetit”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Ai ka thënë se kjo qeveri është duke shkelur mbi vlerat perëndimore të Kosovës, mbi luftën e UÇK-së, mbi kontributin historik të NATO-s, mbi invalidët dhe veteranët çlirimtarë dhe si e tillë duhet kundërshtuar me çdo mjet politik dhe demokratik.
“Diktatura, dhuna e instaluar në qeveri dhe huliganizmi dukshëm po rrezikojnë të ardhmen e Kosovës, demokracinë, sundimin e ligjit dhe perspektiven evropiane. Ftoj qytetarët liridashës të Kosovës, që t’i bashkëngjiten këtij reagimi qytetar në mënyrë dinjitoze dhe civilizuese për ta kundërshtuar një pushtet të kapur, të dhunshëm dhe populist”, ka shkruar Bislimi.