Bislimi: Qëllimi final i Kosovës, anëtarësimi në BE

05 dhjetor 2022 | 15:41

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim drejtorin e përgjithshëm për punë evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas, i shoqëruar edhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Në këtë takim është biseduar  për bashkëpunimin dhe miqësinë në mes të Kosovës dhe Greqisë.

Me këtë rast, Rokanas ka thënë se vendet Greqia dhe Kosova duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën.

“Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse”, është thënë në njoftimin e qeverisë.

Sipas këtij njoftimi, Bislimi ka thënë se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim.

Në ndërkohë, Bislimi ka thënë se Kosova po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera.

“Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”.

“Është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë”, citohet të këtë thënë Bislimi.

Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi, ka ritheksuar angazhimin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, mbështetjen e fuqishme të qytetarëve ndaj integrimit në BE, përkushtimin e Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I intervistuar nga mikrofonat e “TF1”, sulmuesi anglez Phil Foden…