Bislimi: Serbia qëllimshëm po e zvarrit çështjen e personave të zhdukur me dhunë
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, ka dhënë detaje të tjera për takimin bilateral që e ka pasur të martën në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi ka thënë se në këtë takim është diskutuar edhe për çështjen e personave të zhdukur me dhunë.
Në njoftimin e lëshuar për medie nga Qeveria e Kosovës është thënë se Bislimi ka pohuar që Serbia është pala e cila e ngadalëson procesin e çështjes së personave të zhdukur me dhunë
“Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final”, është thënë në njoftim.
Sa i përket urës mbi lumin Ibër, në njoftim është thënë se edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, është thënë në njoftimin e qeverisë.