Bislimi shkon për vizitë dyditore në Beograd

26 tetor 2022 | 12:08

Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, nesër (e enjte) dhe pasnesër (e premte) do të qëndrojë në Beograd, ku do të marrë pjesë në një diskutim për integrimet evropiane dhe në Konferencën e Sigurisë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten do të jetë folës kryesor në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, ku do të diskutohet për integrimin evropian të Kosovës dhe rajonit.

Sipas njoftimit nga Forumi, Bislimi do të marrë pjesë në diskutimin në kuadër të “Dialogut Diplomatik” me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”.

“Qëllimi kryesor i diskutimit është vështrimi i gjithanshëm i situatës, sfidave (mundësive të favorshme, por edhe pengesave) për përmirësimin e procesit integrues në BE të Kosovës dhe rajonit”, ka njoftuar ky forum.

Në diskutim janë të ftuar përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Serbi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Serbisë, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe personalitete të njohura publike.

Gjithashtu, të premten, zëvendëskryeministri Bislimi do të marrë pjesë në Konferencën e Beogradit te Sigurisë, në një panel kushtuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Njëzet e tre vjet pas përfundimit të luftës dhe gati dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, duket se përfundimi i çështjes së Kosovës nuk është në dukje”, është thënë në njoftimin e organizatorëve të Qendrës së Beogradit për Politika e Sigurisë.

Besnik Bislimi shkon në Beograd vetëm pak ditë para afatit për regjistrimin e automjeteve në targa RKS.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të thellimit të raporteve të mëtutjeshme në mes…