Bislimi: Shpresojmë që Finlanda të futet shpejt në NATO, pastaj Kosova
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim delegacionet nga Finlanda dhe Irlanda.
Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, Bislimi ka folur për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Shpresojmë që anëtarësimi i shpejtë i Finlandës në NATO të përfundojë me sukses dhe të pasohet pastaj edhe me anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Bislimi.
Ai ka thënë se Kosova tashmë është dëshmuar si partnere serioze ndërkombëtare, sidomos pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
“Kosova veçse është dëshmuar si partner serioz në promovimin e vlerave të mirëfillta dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Duke folur për Finlandën dhe Irlandës, Bislimi ka thënë se e vlerësojnë lart “mbështetjen e dy vendeve mike për Kosovën” në disa procese integruese si dhe për liberalizimin e vizave.