Bislimi: Sulmi në Banjskë tentoi të cenonte rendin tonë ligjor dhe kushtetues

24 shtator 2024 | 15:57

Kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serinë, Besnik Bislimi, ka komentuar njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë.

Ai ka vlerësuar se sulmi i 24 shtatorit kishte për qëllim cenimin e rendit ligjor dhe kushtetues të Kosovës.

Bislimi ka shkruar në “Facebook” se ky akt agresioni u përball për rezistencë të denjë nga Policia e Kosovës.

“Sulmi paramilitar serb i 24 shtatorit të vitit të kaluar, tentoi të cenonte rendin tonë ligjor e kushtetues, sovranitetin e integritetin territorial. Ky akt agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë sonë, e ku heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë. Shërbeu me nder e përkushtim, deri në vetëflijimin heroik”, ka shkruar Bislimi.

Duke e kujtuar sakrificën e policit Afrim Bunjaku, ai ka përmendur edhe përurimin e rrugës me emrin e heroit të Kosovës.

“Veprës së tij, i jemi mirënjohës përherë si komb, e për këtë do ta nderojmë për jetë e mot. Emri i tij u ngulit me shkronja të mëdha sot në veriun e vendit tonë, ku përmes vendimit të mbrëmshëm të mbledhjes së 221-të të Qeverisë, në Banjskë të Zveçanit u vendos tabela e rrugës që mban emrin Afrim Bunjaku. Kjo është rruga e Republikës së Kosovës, është rruga e Afrim Bunjakut, rruga e familjes së tij, rruga e të gjithë neve. Është rruga që na përkujton sakrificën e tij, që na udhëheq drejt parimeve të drejta e liridashëse, që na frymëzon për atdhedashuri. Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një video-incizim i publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, dëshmon një…