Bislimi takohet me ambasadorin jorezident të Irlandës, i tregon për ‘progresin që ka njohur vendi për tri vjet’
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist.
Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi, ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj vendit tonë, e veçanërisht për mbështetjen në arenën ndërkombëtare.
Irlanda do të marrë përsipër edhe presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2026.Në takim u bisedua rreth fuqizimit të marrëdhënieve e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve tona në fusha me interes të përbashkët.
Fokusi është përqendruar në mundësinë e kultivimit të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona, me theks në rrafshin e shkëmbimit të përvojave dhe në angazhimin e diasporës.
Zëvendëskryeministri Bislimi e ka njoftuar ambasadorin edhe me aktualitetin e zhvillimet në vend, si dhe progresin që ka njohur vendi ynë në më shumë se tri vite të qeverisjes sonë, duke theksuar indikatorët ekonomikë.
Bislimi e ka falënderuar ambasadorin për takimin e bisedën, duke shtuar se Kosova mbetet e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me Irlandën e thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes nesh.