Bislimi takohet me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ja për çfarë biseduan
Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.
Gjatë këtij takimi, ata kanë biseduar për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.
Zëvendëskryeministri Bislimi, ka theksuar se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje do të vazhdojë në mënyrë të palëkundur.
“Përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro. Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga këshilltari politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa Kryetari Lutfiu, shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.