Bislimi takohet me një delegacion të FMN-së, bisedojnë për zhvillimin ekonomik
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim një delegacion të FMN-së, të udhëhequr nga Gabriel Di Bella.
Sipas komunikatës së dërguar nga zyra e kryeministrit, përfaqësuesi i FMN-së ka vlerësuar Kosovën për të arriturat në fushën e ekonomisë e linjën e plotë të ndjekur edhe me rekomandimet e FMN-së.
“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Di Bella dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbështetjen dhe besimin ndaj Kosovës edhe në lidhje me programin në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur ‘Resilience and Sustainability Fund’, nga i cili Kosova është përfitues”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Sipas kësaj komunikate, Bislimi ka theksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar ta përforcojë bashkëpunimin me FMN-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për ngritje të kapaciteteve dhe zhvillimit të vendit.
“Me theks të veçantë, Di Bella përgëzoi dhe punën e Qeverisë, respektivisht Ministrinë e Ekonomisë për projektin e ankandit të parë për energji të ripërtërishme”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.