Bislimi takohet në Bruksel me sekretarin e Organizatës Botërore të Doganave
Në selinë e Organizatës Botërore të Doganave (OBD) në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi është pritur të martën në takim nga sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Kunio Mikuriya.
Sipas njoftimit të qeverisë, sekretari Mikuriya e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Bislimi për vizitën e zhvilluar në Kosovë gjatë javës së kaluar duke potencuar se ka pasur një qëndrim të frytshëm në vend.
Më tutje, ai i ka vlerësuar lartë të gjitha takimet e zhvilluara, duke shtuar se se është impresionuar me zhvillimet në Kosovë dhe vullnetin e institucioneve qeveritare të Kosovës për reforma të rëndësishme duke përfshirë ato doganore.
“Gjithashtu u vlerësuan pozitivisht të arriturat në Kosovë duke shtuar se OBD-ja do të ofrojë mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbështetëse në kuadër të burimeve njerëzore sipas programeve të OBD-së. Tutje, ai ndau qëllimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit mes OBD-së dhe Kosovës në lehtësimin e tregtisë dhe qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve, rritjen e bashkëpunimit me të gjithë sektorët relevant dhe njëkohësisht të përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi, e falënderoi për kohën e ndarë e vizitën e bërë së fundmi në Kosovë duke e vlerësuar atë si të rëndësishme dhe me peshë të veçantë. Ai poashtu e falënderoi për vlerësimin e lartë ndaj të arriturave të Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar me qëllim të rritjes së kapaciteteve si dhe forcimit të bashkëpunimit. Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të vijojë të jetë e përkushtuar në qëllimin e saj në zbatimin e reformave sipas standardeve ndërkombëtare. U theksua rëndësia dhe roli kyç që ka Dogana e Kosovës për shtetin dhe se mirëpriten vlerësimet e OBD-së për të arriturat e saj që shërbejnë edhe si model për administratat tjera doganore. Palët u pajtuan se bashkëpunimi mes OBD-së dhe Kosovës do të vijojë të thellohet dhe format e bashkëpunimit do të zgjerohen më tutje”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.