
Bislimi thotë se faqja e KQZ-së u sulmua, e cilëson si kërcënim të sigurisë evropiane
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur lidhur me atë se çka kishte ndodhur me faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbrëmjen e 9 shkurtit, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Bislimi tha se kjo faqe kishte pësuar sulm.
Ai këtë rast e trajtoi si një kërcënim të sigurisë evropiane.
Numri dy i qeverisë në detyrë, ka udhëtuar drejt Polonisë ku do të marrë pjesë në një takim joformal të Këshillit për Çështjet të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian.
“Jam shumë i lumtur që jam në Poloni sot për të diskutuar sot me kolegët nga ministritë evropiane për një formë shumë të veçantë të kërcënimeve të sigurisë për kontinentin në një moment shumë të rëndësishëm. Ne kemi pasur zgjedhje javën e fundit dhe kemi përjetuar këtë formë speciale të kërcënimit të sigurisë lidhur me sulmet që i kanë ndodhur faqes së KQZ-së”, tha ai në fjalimin hyrës në këtë ngjarje.
Mbrëmjen e 9 shkurtit, faqja e KQZ-së nuk kishte funksionim normal.
Pas përfundimit të votimit, u raportua se kjo faqe kishte pasur disa probleme.