Bislimi thotë se progresi ekonomik i Kosovës është i paprecedentë kudo tjetër
Zëvendësministri Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova ka shënuar progres ekonomik të jashtë zakonshëm.
Sipas tij, ky progres është i paprecedentë kudo tjetër. Pra, sipas tij s’është parë askund në botë një progres i tillë ekonomik.
“Progresi i arritur është i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë kudo tjetër”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bislimit:
Forumi i Dytë dhe dyditor Ekonomik Gjermano-Kosovar, është një mundësi e mirë për të bërë bashkë biznese nga dy vendet tona, e rritur bashkëpunimin dhe hapësirat për investime dhe ide të reja.
24 vite më parë, në një konferencë në Mynih ku flitej rreth klimës investuese në Kosovë, një nga ekspertët tha atë kohë se fuqia blerëse e të gjithë Kosovës, është e barabartë me atë të një qyteti të vogël gjerman me më pak se 50.000 banorë. Realiteti sot, është krejt tjetër.
Progresi i arritur është i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë kudo tjetër. Sot, jemi mes 100 vendeve në botë për të ardhura për kokë banori, në katër vitet e fundit kemi rritjen mesatare më të lartë ekonomike në rajon me 6.2%, mbledhja e tatimit nga të ardhurat e korporatave dhe ato personale është rritur në krahasim me vitin 2020 nga 64 milionë në 156 milionë, apo për 144%, dhe nga 130 milionë në 207 milionë, apo për 83%, pa ndërruar normën e taksimit. Pra në katër vite, korporatat kanë më shumë se dyfishuar fitimin e tyre.
Teksa në shkurt 2021 regjistroheshin 355,001 të punësuar, sot kemi një rritje me rreth 70.000 të punësuar më shumë, e numri ka arritur në 425,000. Avancimi i kuantifikuar përmes indikatorëve dhe faktorëve gjithnjë e në rritje dhe trendin e dinamikat pozitive, tregojnë për një të tashme e të ardhme prosperuese, që thërret edhe për më shumë investime, më shumë progres e rritje të mëtejme ekonomike.