Bislimi: Vendet anëtare të BE-së kanë konkluduar se tani është momenti për vizat

30 nëntor 2022 | 11:17

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023. Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

E pikërisht sot, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është deklaruar para deputetëve në Komisionin për Integrime Evropiane.

Ndër të tjerash, Bislimi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe situatën e krijuar tani për tani.

Ai ka thënë se herën e kaluar kur është diskutuar për sistemin ETIAS, ka pasur pasiguri se nuk do të mund të respektohet nga 1 nëntori e kësisoj është paraparë që të lëvizet lirshëm nga 1 dhjetori i vitit të ardhshëm.

“Spanja ka kërkuar që data 1 dhjetor të zhvendoset më 1 janar, e kjo të mos ndodhë nën drejtimin e presidencës spanjolle. Është dakorduar një tekst, është dhënë një periudhë për komentimin e kësaj tekstet, meqë s’ka pas thyerje të heshtjes teksti sot votohet, pra s’diskutohet fare por votohet. Pra kjo e hap rrugën në Këshill me datën 9 apo 10 dhjetor dhe vazhdon puna bilaterale. S’ka pasur lidhje me procesin e dialogut. Arsyeja e shtyrjes në këtë javë ka qenë për brengën e situatës së targave, pra ka qenë me qëllim të mirë, e jo për kushtëzim apo diçka të ngjashme. Pse liberalizimi nuk ka ndodhur më herët, e tash. Kush i ka meritat që ka ndodhur tani, e jo më vonë, apo tash e jo më herët, për këtë mundemi me diskutuar në atë moment kur finalizohet procesi”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se vendet e BE-së kanë vlerësuar se tani është momenti që Kosovës t’i hiqen vizat.

“Të gjitha vendet anëtare kanë konkluduar se tani është momenti për liberalizim të vizave, pasi Kosova po lufton suksesshëm krimin dhe korrupsionin. Ne po themi, jepnani se po e luftojmë krimin dhe korrupsionin, ju po thoni mos i jepni sepse s’po luftohet”, ka thënë Bislimi .

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi e Francës, Lille ka piketuar mbrojtësin e…