Bizneset adresojnë problemet që dalin nga ligji i ri për tregtinë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar tryezë diskutimi rreth ndikimit dhe implikimeve të reja që dalin nga Ligjit për Tregtinë për sektorin privat në vend.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, e vlerësoi ligjin si të rëndësishëm, por bëri thirrje për shmangie të rregullimit të tepërt, i cili do të cenonte raportet ndërbiznesore por edhe do të vështirësonte të bërit biznes.
Ai ka thënë se është qëndrim i Odës Amerikane se rregullimi i tepërt do të ngufaste operimin e bizneseve dhe do të ishte në kundërshtim me orientimin e vendit për një ekonomi të tregut të lirë.
Këshilltarja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mrika Selimaj, ka thënë se ligji për tregti parasheh një numër të risive të cilat synojnë në rregullimin e përgjithshëm të tregut në vend, duke thënë se ky ligj anon më shumë nga aspekti administrativ.
Selimaj ka theksuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë synon të bëjë modifikimet e nevojshme në mënyrë që ky ligj të jetë i implementueshëm dhe se reformat janë më së të nevojshme për të rregulluar këtë sektor.
Ajo ka inkurajuar bizneset e pranishme të paraqesin rekomandimet dhe komentet e tyre në lidhje me formulimin e këtij ligji i cili do të ndikojë në veprimtarinë e tyre biznesore.
Kryesuesi i Komitetit të Tregtisë dhe Doganës të Odës Amerikane dhe pronari i Delfin Ltd, Avni Krasniqi, ka thënë se mungesa e përfshirjes së sektorit privat në formulimin e ligjeve të cilat afektojnë sektorin e tregtisë me pakicë por edhe sektorëve të tjerë në përgjithësi po ndikon në zbatueshmëri të duhur të ligjit në vend.
Krasniqi ka shtuar se duke qenë se sektori privat afektohet më së shumti nga specifikat dhe risitë e reja nga ky ligj, bizneset kanë ndrojtje që zbatueshmëria e këtij ligji do të has në vështirësi e cila do të rezultojë në parregullsi në treg.
Ai ka kërkuar që bizneset të jenë pjesë e pandashme e këtij procesi në dhënien e rekomandimeve për të adresuar çështje të cilat do të paraqitnin barrë për sektorin privat.
Pronari i kompanisë Proex, Ylber Kuraja, ka theksuar se sektori i tregtisë me pakicë në Kosovë është sektori kryesor i mbushjes së arkave të shtetit, andaj përfshirja e këtij sektori në modifikimin e ligjit për tregti është e domosdoshme.
Ai ka theksuar se mungesa e fiskalizimit të plotë të dyqaneve, mes tjerash, reflekton në zbatueshmëri jo të plotë të ligjeve aktuale, duke shtuar se përfshirja më e madhe e bizneseve në procesin e draftimit të ligjeve do të mundësonte një adresim më të duhur të çështjeve të cilat afektojnë sektorin privat.
/Epoka e re/