Bizneset e painformuara për ekzistimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve
Lëvizja Fol, me mbështetjen e aktivitetit të USAID-it për integritet të komunave të Kosovës, ka mbajtur tryezën e diskutimit në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat, ku u shpalosen gjetjet e raportit të Lëvizjes Fol të titulluar: “Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat”.
Qëllimi i këtij raporti ishte që të vlerësohet niveli i informimit dhe perceptimi i subjekteve të sektorit privat për mekanizmin e sinjalizimit dhe se sa po zbatohet realisht ky mekanizëm në praktikë.
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani, ka falënderuar pjesëmarrësit për prezencën dhe ka shpjeguar se kjo anketë vlerësoi shkallën në të cilën subjektet e sektorit privat janë të informuara për mekanizmin e sinjalizimit si dhe nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat.
Përfaqësuesi i aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, Stephen Carpenter, ka thënë se gjetjet e Lëvizjes Fol tregojnë vlerën dhe nevojën urgjente për përmirësimin e kësaj gjendjeje përmes trajnimeve.
Sipas Carpenterit, përderisa sot ndajmë përvojat dhe strategjitë e ndryshme, duhet të përqendrohemi më shumë për përmirësimin e kësaj fushe.
Hulumtuesja e lartë në Lëvizjen Fol, Albana Hasani, ka prezantuar gjetjet e këtij raporti. Përveç kësaj, ajo ka theksuar se për Fol-in gjetjet ishin rezultate befasuese, meqe është pritur që përqindja e bizneseve të painformuara në lidhje me sinjalizimin ka me qenë më e lartë, megjithatë, sipas saj, edhe këto shifra theksojnë domosdoshmërinë e ndërmarrjes së iniciativave për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të bizneseve lidhur me këtë ligj.
Drejtori i Departamenti për Planifikim Strategjik në Inspektoratin e Punës, Vesel Zhinipotoku, ka bërë me dije se këtë vit thuajse është filluar me një qasje më pozitive që të gjitha subjektet ekonomike të caktojnë zyrtarin përgjegjës për sinjalizim.
Sipas tij, ka subjekte që paraprakisht i kanë caktuar personat përgjegjës, mirëpo sa janë efektiv lë për të dëshiruar.
Gjithashtu, Zhinipotoku ndër të tjera ka theksuar se masa ndëshkimore nuk kanë shqiptuar për subjektet që nuk i kanë caktuar zyrtarët përgjegjës, përveç 1 rasti, në mënyrë që të punohet në preventivë dhe jo në ndëshkim.
Ushtruesi i udhëheqësit të Divizionit për Sinjalizim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Milot Shala, ka thënë se gjendja është më e mirë në sektorin publik se sa në atë privat.
Ai ka thënë se agjencia është shumë e gatshme për të bashkëpunuar, sidomos në vetëdijesim dhe në trajnime.
Drejtoresha e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Lumnije Ajdini, ka thënë se situata reale nga bizneset është shumë më keq se sa që po e diskutojmë këtu. Bizneset nuk kanë qenë aspak të informuara as nga ministria as nga institucionet tjera relevante.
Sipas tij, ky mekanizëm është shumë i vlefshëm sepse ka favore që e mbrojnë imazhin e kompanive në Kosovë.
Gjithashtu Ajdini ka thënë se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për me e mbuluar këtë fushë.
Udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Kompaninë “Liridoni”, Ngazhnjim Lajçi, ka thënë se mbetet sfiduese zbatimi i këtij mekanizmi sidomos kur ka të bëjë me ruajtjen e konfidencialitetit.
Lajçi ka thënë se po vërehet në terren rritja e numrit të inspektorëve dhe sipas tij, kompania në të cilën punon ai kanë pasur vazhdimisht inspektime nga ky institucion.