Bizneset e quajnë të domosdoshëm digjitalizimin e kompanive dhe administratës shtetërore
Kompanitë vendore po e shohin të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, digjitalizimin e bizneseve dhe administratës shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Është bërë thirrje që të këtë më shumë bashkëpunim ndërmjet bizneseve e qeverisë, në mënyrë që të rinjtë të zhvillojnë karrierë brenda vendit, e të mos largohen në shtetet perëndimore.
Drejtori i burimeve njerëzore dhe administratës në “Meridian Corporation”, Abdylkerim Ratkoceri, ka thënë se digjitalizim është shumë i rëndësishëm në kompani dhe se duhet punuar më shumë në këtë aspekt që vendi të ecë në hap me kohën.
“Unë mendoj që është shumë e rëndësishme, ne duhet të gjithë që të ecim me kohën sikur se kjo është duke u aplikuar edhe në shkolla, posaçërisht në Bashkimin Evropian dhe ShBA. Mirëpo edhe në kompani duhet se kjo është një lehtësim i procesit të rekrutimeve. Është një ndihmesë shumë e mirë, mirëpo teknologjia në përgjithësi duhet të prosperoj dhe të ecim përpara”, ka thënë ai.
Ratkoceri ka thënë se prioritet i qeverisë duhet të jetë financimi i kompanive me politika të ndryshme, në mënyrë që bizneset të jenë në hap me zhvillimet teknologjike, sikurse bizneset që operojnë në vendet tjera. “Mendoj së është më se prioritet për qeverinë tonë që t’i financojë kompanitë me politikat e tyre të ndryshme, sepse është shumë me rëndësi që të digjitalizohen të gjitha kompanitë në këtë aspekt. Është më se e domosdoshme që të jemi koherent dhe të jemi në hap me kohën sikur se janë edhe bizneset që operojnë në shtet amë. Kemi bashkëpunuar me projektet e tyre që kanë pasur për praktikë e kështu me radhë. Është e domosdoshme si biznes që të kesh bashkëpunim me rininë që të i japësh një rrugëtim të mirë që ta dinë që e kanë një karrierë për ta bërë në Kosovë. E të mos lejojmë që fatkeqësisht të na ikin duke shpresuar që kanë me gjete një jetë më të mirë në vendet e BE-së përderisa ka mundësi dhe ka hapësirë në Kosovë, mirëpo me një bashkëpunim të mirë me një trekëndësh qeveri, biznese edhe Universitete ekziston mundësi që rinisë ti jepet një kahje shumë e mirë, një mundësi që të zhvillohen në Kosovë. Të kenë karrierë të suksesshme në Kosovë”, ka thënë ai.
Edhe Burbuqe Grajqevci, menaxher e burimeve njerëzore në Kreditimin Rural të Kosovës, ka thënë se digjitalizimi i proceseve administrative është shumë i rëndësishëm që të bëjë më të lehtë punën për zyrtarët dhe qytetarët.
“Është shumë e rëndësishme duke marr parasysh që të gjithë jemi të lidhur sot me telefonat e mençur që do të thotë drejtpërdrejte jemi te lidhur edhe me inteligjencën artificiale. Fillimisht kisha thënë që inteligjenca njerëzore është shumë më e rëndësishme dhe ajo ka mundësuar që të zhvillohet inteligjenca artificiale, prandaj ne duhet ta përdorim edhe ti përmirësojmë proceset tona”, ka thënë ajo.
Grajqevci thotë se çdo ndihmë që do të vinte nga institucionet shtetërore për këtë çështje, është e mirëseardhur për gjithë tregun në Kosovë.
“Platformat si këto na ndihmojnë që ne këto procese të mos i bëjmë nga zero vetë, për shkak se janë të kushtueshëm dhe jemi kompani më të vogla dhe nuk ja vlen që ne këtë proces ta zhvillojmë vetë nga fillimi kështu që platforma të tilla janë të mira edhe na ndihmojnë të përmirësojmë procese të rekrutimit. Kjo do të ishte e nevojshme dhe do të ju ndihmonte kompanive më të vogla, gjithashtu nëse ka diçka që zhvillohet nga institucionet është e mirëseardhur për të gjithë tregun”, ka thënë ajo. /EO