Bizneset eksportuese obligohen që t’i noterizojnë edhe fletët e bardha
Një vendim i Institutit të Shëndetit Publik, i marrë para 6 muajsh, ka nxitur reagim nga komuniteti i biznesit në Kosovë.
Përmes këtij vendimi, bizneset prodhuese, me rastin e eksportit duhet ta noterizojnë të gjithë dokumentacionin e eksportit, përfshirë edhe fletët e bardha.
Berat Rukiqit, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se me këtë vendim në disa raste kosto e noterizimit për bizneset eksportuese është rritur për 300 për qind. “Qeveria duhet të merret me burokracinë. Kompanitë prodhuese dhe eskportuese paguajnë mijëra e mijëra euro, kosto të noterizimit, për fleta të bardha, ku nuk është asnjë shkronjë e vetme. Para 6 muajve, kemi dërguar një kërkesë në Institutin e Shëndetit Publik, i cili në baza absurde vendos që të noterizohet çdo fletë e dokumentacionit të eksportit, përfshirë edhe fletët e bardha, ku nuk është asnjë shkronjë e vetme, për anulim të këtij vendimi. Në shumë kompani, kosto e noterizimit është rrit 300%, si pasojë e këtij vendimi. Edhe pas 6 muajve, nuk ka asnjë përgjigje nga ky institucion”, ka shkruar Rukiqi në profilin e vet në “Facebook”.