Bizneset italiane, rumune dhe bullgare kërkojnë treg në Kosovë
Një delegacion i bizneseve italiane, rumune dhe bullgare, i kryesuar nga Veseli Koshev, Kryetar i Auro-Asian Association for Business, Culture and Friendship, kanë vizituar Aleancën Kosovare te Bizneseve (AKB), ku janë pritur nga kryetari Agim Shahini dhe kanë diskutuar për mundësitë e reja për bashkëpunim.
Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i ka njoftuar delegacion e bizneseve italiane, rumune dhe bullgare, lidhur me ambientin afarist dhe të bërit biznes në Kosovë, si dhe sistemin fiskal dhe investiv i aplikuar në Kosovë si më i favorshmi në Ballkanin Perëndimor.
“Ekonomia e Kosovës ka kaluar tranzicionin me sukses nga ai emergjent tani në zhvillim, ku përmes procesit të privatizimit kanë aderuar në Kosovë shumë korporata të fuqishme për të investuar, në të cilën Italia është një nga vendet që ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë, por duke mos harruar edhe bizneset nga bullgaria dhe rumune që janë prezentë në Kosovë në sektorë të ndryshëm. Kosova është lider në Ballkan për përparësitë që u ofron kompanive të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe këtë mirë po e shfrytëzojnë investitorët që vijnë nga vendet e juaja”, është shprehur Shahini.
Ndërkaq, Veseli Koshev, kryetar i Auro-Asian Association for Business, Culture and Friendship, ka thënë se ndihet i inkurajuar me ofertat e Kosovës për investime që të promovoj edhe në vendet e Azisë dhe të Evropës.
“Bizneset po kërkojnë atje ku ka taksa më pak e fitim më shumë. Për këtë dua t’ju themi se ne jemi partner për të promovuar Kosovën kudo që ne punojmë dhe veprojmë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, Pasquale Lacasella i konzorciumit “Net Solution” nga Italia, ka thënë se është hera e parë që është në Kosovë.
Ai ka thënë se nga prezantimi i që bëri kryetari i AKB-së, ai ka shtuar atij interesimin që t’i ftojë bizneset tjera që të bashkëinvestojnë në Kosovë.