Bizneset italiane të interesuara për investime në Kosovë
Pas dy vizitave që ka pasur zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, në Itali, për fushat e ekonomisë dhe investimeve, ka filluar hapi i parë i konkretizimit të investimeve italiane në Kosovë.
Thaçi sot ka pritur në takim përfaqësuesin e kompanisë italiane “Prima Produzione Europe Di Alkekengi Physalis”, Pierpaolo Cavaglieri, me të cilin ka biseduar për politikat fiskale, si dhe sigurimin e investitorëve të huaj që shteti i Kosovës ofron.
Zëvendësministri Thaçi e ka njoftuar biznesmenin se bujqësia është identifikuar si sektor strategjik për investimet e huaja, që ndihmon në rritjen ekonomike dhe në gjenerimin e vendeve të punës.
Ndërkaq Pierpaolo Cavaglieri ka pohuar se është i kënaqur për zhvillimin e projekteve të reja në Kosovë.
“Është një projekt i ri dhe i vetmi në Evropë që po mundohemi që ta jetësojmë edhe në Kosovë. Ky projekt ka të bëjë me fushën e bujqësisë dhe sa i përket zhvillimit të agrokulturës, konkretisht frutit Alkekengi dhe ne jemi të parët në botë. Kultivimi i këtij produkti është shumë profitabil për fermerët e Kosovës dhe për këtë ne do të sjellim fabrikën nga Italia në Kosovë për përpunimin e këtij produkti, ku fermerët e kanë të siguruar tregun e shitjes”, ka thënë biznesmeni italian.
Gjatë këtij takimi Thaçi dhe Cavaglieri u pajtuan që ky bashkëpunim të vazhdojë me koordinimin e aktiviteteve konkrete deri në finalizimin e projektit.
/Epoka e re/