Bizneset kosovare dhe ato hungareze shkëmbejnë përvoja për zhvillimin e bujqësisë
Ambasada Hungareze në Kosovë në bashkëpunim dhe me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), mbajtën konferencën e titulluar “Konferenca për Bujqësinë Hungareze në Kosovë”.
Kjo konferencë e cila u mbajt në Hotel “Amazona” në Prishtinë, mblodhi biznese të ndryshme nga Kosova dhe Hungaria, ku bizneset e ardhura nga Hungaria kishin për qëllim prezantimin e veprimtarive të tyre dhe ofrimin e partneritetit me bizneset Kosovare që ishin të pranishme në këtë konferencë.
Në fjalët e tyre hyrëse, përfaqësuesit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ambasada Hungareze i falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehën gatishmërinë për përkrahje në ndërtimin e kontakteve mes bizneseve të të dyja vendeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Bizneset kosovare dhe ato hungareze, patën mundësinë e prezantimit të veprimtarive të tyre dhe shkëmbimit të përvojave përmes sesionit të takimeve individuale, gjë që nga palët u cilësua si shumë i frytshëm. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe studentë të Universitetit të Prishtinës të cilët Ambasada Hungareze i përkrah çdo vit me bursa studimi, me ç’rast ata u shprehën të kënaqur me përkrahjen e tyre.
Të pranishmit, në pjesën përmbyllëse të konferencës u falënderuan nga organizatorët për pjesëmarrjen dhe gjithashtu organizatorët u zotuan se kjo konferencë do të vazhdoj të jetë tradicionale duke u zgjeruar çdo vit në aspektin e bashkëpunimit dhe lidhjes së kontakteve në mes të bizneseve kosovare dhe atyre hungareze.