Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

30 mars 2021 | 12:12

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës së bashku me përfaqësueses të bizneseve kanë diskutuar të martën për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset.

Bizneset kanë paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë shtrenjtim të çmimeve, duke kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore.

Me këtë rast, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në rast se ndodh ngritja e çmimit të energjisë elektrike atëherë kjo do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendor.

Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar nga deputetët që t’i rekomandojnë ZRrE-së që kalimi në tregun e rregulluar të energjisë të shtyhet për një vit.

“Ky takim vjen si rezultat i një diskutimi trevjeçar prej kur ne diskutojmë për një sfidë që po u paraqitet bizneseve në raport me kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike në atë të derregulluar. Kosova ka miratuar një pako ligjore që i ka hapur rrugë liberalizimit të tregut të energjisë e cila është proklamuar si arritje e Kosovës në procese të ndryshme në tregun rajonal të energjisë. Barrën për implementimin e një pjese të kësaj pako e ka pasur rregullatori i energjisë dhe ende ka një gjë të tillë”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka shtuar se për këtë çështje kanë njoftuar edhe Sekretariatin e Vjenës.

“Në vitin e parë ne jemi njoftuar nga grupi i parë i kompanive që nëse implementohet kjo rregullore, pra që ata të kalojnë në treg të rregulluar, atëherë ky ndryshim i dërgon kompanitë në falimentim. Me përkrahjen e parlamentit, Bordi i Rregullatorit ka marrë vendim që të shtyhet për një vit implementimi i kësaj dispozite. Pas një viti kemi njoftuar bizneset për një letër të Sekretariatit të Vjenës që ka shtyrë edhe një vit këtë rregullore. Kurse edhe sot jemi në një situatë të njëjtë. Numri i kompanive që këtë vit kanë obligim të dalin në tregun e derregulluar është shumë i madh. Rritja e mundshme si pasojë e ofertave që kanë marrë kompanitë nga furnizues të ndryshëm që të ketë 30 ose 40 për qind rritje të kostos nënkupton rritje e çmimit për produktet që rrisin koston e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Rukiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me…