Bizneset në Mitrovicë respektojnë vendimin e kryetarit Bahtiri
Bordi i Drejtorëve në Komunën e Mitrovicës ka mbajtur mbledhjen e radhës, që është drejtuar nga kryetar Agim Bahtiri, ku janë diskutuar disa çështje me interes për qytetarët e kësaj komune.
Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka theksuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës më 28 dhe 29 qershor kanë inspektuar lokalet që shkaktojnë zhurmë në orët e vona të mbrëmjes.
Ahmeti ka thënë se pronarët e lokaleve duhet të kenë parasysh ligjet dhe rregulloret në fuqi, në mënyrë që të mos detyrohen t’u shqiptojmë gjoba që do të dëmtonin bizneset e tyre.
Po ashtu, Ahmeti ka thënë së më 30 qershor inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar edhe subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës, me ç’rast vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.
Ndërsa, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka prezantuar të gjeturat nga raporti final i vitit 2018 i Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili do të kalojë në Komitetin për Politikë dhe Financa e pastaj të procedohet në Kuvendin Komunal.
/Epoka e re/