Bizneset në Mitrovicë respektojnë vendimin që e diela të jetë ditë pushimi
Drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa çështje që janë me interes për qytetarët e Komunës së Mitrovicës.
Fillimisht zyrtari kryesor komunal për buxhet, Adem Fazliu, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me raportin vjetor për sistemin e kontrollit të brendshëm, raport ky i cili do të praktikohet për herë të parë për të gjitha komunat e Kosovës, me vendim të Ministrisë së Financave.
Ndërsa drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, gjatë mbledhjes ka njoftuar drejtorët komunalë me Draft-raportin e Auditimit për vitin 2018 për Komunën e Mitrovicës, me ç’rast është diskutuar për opinionin e auditorëve fushat të cilat janë audituar si dhe të gjeturat nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Më tutje, Gashi ka folur edhe për qarkoren e parë buxhetore për vitet 2020 – 2022. Ai ka prezantuar para ekzekutivit buxhetin e Komunës së Mitrovicës për vitin 2020. “Grandi qeveritar 19 446 001 euro, planifikimi i të hyrave vetjake 2 499 975 euro, ndërsa totali i buxhetit të Komunës së Mitrovicës për vitin 2020 është 21 945 976 euro”, ka thënë drejtori Gashi.
Në anën tjetër, drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, ka bërë me dije se edhe gjatë fundjavës së kaluar inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës. Ai ka thënë se vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.
Po ashtu, ai ka njoftuar ekzekutivin mbi gjendjen e rrugës “Vëllezërit Dragaj”, ku banorët kanë kërkuar që kjo rrugë të mbikëqyret nga Policia e Kosovës si dhe të largohen të gjitha pengesat nga rruga.
/Epoka e re/