Bizneset pësuan rënie të të hyrave deri në 50%
Pandemia ka ndikuar që në shumë sektorë të ketë rënie deri në 50% të qarkullimit vjetor, madje nëse nuk ndodh rimëkëmbja ekonomike shumë prej këtyre kompanive mund të falimentojnë, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.
Tutje, ai tha se shumë biznese janë duke funksionuar me kapacitete të limituara, shkaku i Coronavirusit.
I pari i prodhuesve shpreson që sa më shpejt të ndodhë rimëkëmbja ekonomike përndryshe rënia në ekonomi do të jetë drastike, duke shtuar se efekte do të vërehen sidomos gjatë muajit nëntor.
“Biznese, prodhuesit janë duke u përballur me periudhën më të vështirë që nga viti 1999 kur e kemi pasur edhe konfliktin e Kosovës. Është një vit jashtëzakonisht i vështirë, kemi ulje të konsumit të aktivitetit ekonomik në përgjithësi dhe shumë kompani janë duke funksionuar me kapacitete të limituara dhe me numër të limituar të punëtorëve. Për numër të bizneseve që janë mbyllur ne e kemi bërë një anketë me Bankën Botërore dhe ende nuk i kemi marrë rezultatet përfundimtare prandaj nuk mund të spekulojë a ka të mbyllura. Ndoshta në lami të tjera mund të ketë në Gastronomi apo në Hoteleri, për prodhim ende nuk kemi marrë informatat përfundimtare. Ka humbje të vendeve të punës”.
“Këtë vit po vërehet një rënie drastike. Efektet reale do t’i shohim në muajt në vijim, sidomos gjatë muajit nëntor. Humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha. Në shumë sektor kemi rënie deri në 50% të qarkullimit vjetor. Rimëkëmbja duhet të ndodhë shumë shpejt sepse shumë kompani mund të rrezikojnë të falimentojnë dhe nuk kemi më çka të shpëtojmë”.
Madje ai thotë se Ligji për Rimëkëmbje duhet të votohet sa më shpejt në Kuvend. Ai u bënë thirrje subjekteve politike që të mendojnë për ekonominë e vendit dhe jo vetëm për interesat personale.
“Ne kemi një pako të rimëkëmbjes që është prezantuar si në formë të ligjit ku janë parashikuar masat që do të ndërmerren në vija të trasha. Fondi për garancion kreditor, pensional, fondi i privatizimit do të vihen në dispozicion të ekonomisë. Por është një pako që ende duhet të punohet në të që t’i kemi detajet e duhura se a do të jetë fokus prodhimi apo sektorët e tjerë. Kjo duhet të negociohet pastaj me qeverinë. Për ne është shumë me rëndësi që partitë politike ta votojnë këtë ligj në parlament. Partitë politike për fat të keq nuk janë duke menduar për ekonominë por vetëm për politik”.
Mes tjerash, Panxha theksoi se është shumë me rëndësi që shumë aktivitete të ndodhin në Kosovë dhe paratë të mbesin në vend, raporton EO.
“Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës kanë thënë që janë 65 milion euro në dispozicion për tu alokuar në ekonomi. Ne kemi insistuar që të ndryshohet edhe ligji për prokurim publik ku do t’i jepet përparësi blerjeve publike në Kosovës. Kjo edhe i ndihmon prodhimit dhe furnizimit të konsumit që të ndodhë brenda Kosovës. Qëllimi është që sa më shumë aktivitete të ndodhin brenda Kosovës dhe paratë të mbesin në Kosovë. Dhe nëse këto masa implementohen sa më shpejt atëherë edhe pasojat e pandemisë do të jenë më të limituara”.
Sipas tij, në këtë fazë prodhuesit kanë nevojë që të rritet konsumi i produkteve vendore në tregun e Kosovës.
“Për ne është me rëndësi të fillojmë fushatën për vetëdijesimin e qytetarëve për konsumin e produkteve vendore ‘Made In Kosova’, dhe është me rëndësi që qeveria blerjet ti bëjë për prodhime vendore që të rrit kërkesën e saj. Ne i kemi burgjet të cilat duhet të furnizohen me ushqim vendor dhe kemi spitale të cilat duhet të furnizohen me tekstil nëse ka nevojë, barna vendore dhe shkolla që mund të mobilohen me prodhime vendore”, tha ai për Ekonomia Online.