Bizneset vazhdojnë ta respektojnë orarin e punës në Mitrovicë
Drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e kësaj komune.
Fillimisht drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka njoftuar Bordin për shfaqjen e premierës së Teatrit të qytetit, “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranc dhe me regji të Artan Tmavës, e cila do të shfaqet më 13 nëntor, duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka theksuar se inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 9 nëntor kanë mundësuar që rruga “Vëllezërit Dragaj” të jetë e lirë për qarkullim dhe nuk ka pasur produkte të ekspozuara në trotuare.
Po ashtu, drejtori Ahmeti ka thënë se më 10 nëntor kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës, me ç’rast vendimi që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri. Në këtë takim Bordi ka diskutuar edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve.
/Epoka e re/