Bizneset zëshëm kundër shtrenjtimit të rrymës

10 prill 2025 | 11:23

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për paralajmërimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike 15 për qind.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në një intervistë për “Ekonomia Online” ka theksuar se shtrenjtimi i rrymës do të ndikojë negativisht te bizneset dhe qytetarët, duke i shtuar vështirësitë ekonomike dhe varfërinë.

Ai vuri në dukje se mbi 1 300 biznese, përfshirë ato me mbi 50 punëtorë, do të detyrohen të blejnë energji elektrike në tregun e hapur, që do të çojë në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve.

“Ngritja e çmimit të energjisë dhe paralajmërimet e saj për ngritje për 15% është një goditje për bizneset dhe qytetarët. Kjo do të varfërojë edhe më tutje shportën konsumuese të qytetarëve të vendit, por edhe të bizneseve që do të detyrohen të shtrenjtojnë shërbimet e veta, sidomos kur të hyjë në fuqi blerja e energjisë nga 1 qershori në tregun e hapur. Mbi 1300 biznese do të detyrohen të blejnë energji elektrike. Kjo i detyron të gjitha bizneset që kanë më shumë se 50 punëtorë. Ne e vlerësojmë se kjo është një ngarkesë për bizneset dhe prodhuesit dhe në anën tjetër do t’i faturohet konsumatorit”, tha Shahini.

Ai kërkoi nga institucionet shtetërore që të mbajnë tarifat aktuale të energjisë elektrike për të shmangur pasojat e rritjes së çmimit.

“Nëse bizneset detyrohen ta blejnë energjinë, ato do të duhet të shtrenjtojnë produktet, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ende bizneset nuk e kanë mundësinë për të blerë energji kaq të shtrenjtë, kur kemi KEK-un, ku nuk u lejohet bizneseve vendore të blejnë energjinë elektrike. Vetë ngritja e çmimit do të ndikojë në rritjen e varfërisë në Kosovë. Kërkesa jonë ndaj institucioneve shtetërore është që të vazhdojnë me tarifat e mëparshme, në mënyrë që të tejkalohen këto vështirësi” shtoi kryetari.

Shahini gjithashtu vuri në dukje se rritja e çmimit të energjisë do të ketë pasoja të mëdha në konsum dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Sipas standardeve të Bankës Botërore, që bëjnë hulumtime në të gjitha vendet, nëse energjia elektrike në një shtet rritet për 10 për qind tërë konsumi në atë shtet rritet nga 1.5 deri 2 për qind. Nëse rritet. Nëse rritet si rasti i Kosovës për shembull 15-20 për qind, atëherë gjithçka rritet në ekonominë e Kosovës 4-5% për qind. Kosova dhe konsumatorët me këto paga nuk do të mund të përballojnë këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Shahini.

Kryetari i AKB-së tha se edhe protestat duhet të japin një mesazh të qartë që të mos ngritët çmimi i energjisë elektrike. “Tregu i hapur duhet të jetë i barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë, sepse ne kemi më shumë se 19 operatorë. Mbi 90 për qind është një operator ekonomik që furnizon gjithë tregun me energji. Ende nuk dihet se si do të përdoret infrastruktura energjetike për bizneset, që do të detyrohen të blejnë energji jashtë shtetit dhe çfarë kostoje do të ketë kjo”, ka thënë Shahini.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka njoftuar se vendimi për çmimin e energjisë elektrike do të merret më 11 prill.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barometri i publikuar nga “Euronews Albania” ka zbuluar të mërkurën…