Bizneseve në Gjakovë u prezantohen mënyrat e përkrahjes nga Ministria e Inovacionit
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), ka marrë pjesë në konferencën informuese “Ditëve të Biznesit të Vogël 2019”, me bizneset e rajonit të Gjakovës, konferencë e organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.
Në këtë konferencë zyrtarët e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe të ministrive tjera, që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, kanë prezantuar programet përkrahëse për bizneset fillestare dhe ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, si dhe format me të cilat ata mund të përfitojnë për idetë dhe projektet inovative të bizneseve dhe individëve.
“Gjatë konferencës të pranishmit u informuan për nismat dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet e Kosovës, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë. Gjatë prezantimit të aktiviteteve të MIN, të pranishmit janë informuar për nismat dhe shërbimet të cilat ofrohen nga kjo ministri, ku synim kryesor është rritja e kapaciteteve eksportuese të ndërmarrjeve kosovare dhe digjitalizimi i prodhimit dhe shërbimeve”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke u shtuar se zhvillimi i ndërmarrësisë dhe iniciativës private përmes inovacioneve dhe me fokus në zhvillimin e NMVM-ve, prodhuese dhe shërbyese, është parakusht për rritje të punësimit, rritje të konkurrueshmërisë dhe rrjedhimisht rritje të sektorit privat.
Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve kanë prezantuar problemet me legjislacionin, të cilat pengojnë zhvillimin e bizneseve të vogla, ngritjen e vetëdijesimit për rolin që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për zhvillimin e qëndrueshëm, përkatësisht për nxitjen e dialogut publiko-privat në mënyrë që të hartohen politika përkatëse në dobi të bizneseve.
Konferenca të tilla informuese do të realizohen në shtatë rajone të Kosovës, ndërkaq deri më tani janë mbajtur në Pejë dhe Gjakovë.