Biznesi në Mitrovicë pengohet nga kontejnerët e mbeturinave (Video)
Prezenca e kontejnerëve në hyrje të kafiterive dhe kundërmimi i tyre, po krijon pakënaqësi tek pronarët dhe klientët lokaleve.
Një gjë e tillë po e brengos edhe pronarin e një kafeneje në Mitrovicë, objekt ky që është i mbrojtur si trashëgimi kulturore.
Ervin Zenelaj nga Mitrovica thotë për RTV Dukagjinin se kontejnerët që gjenden para kafiterisë të tij po pengojnë mbarëvajtjen e punës dhe se kundërmimi i madh po i hapë telashe me klientët.
“Kemi probleme me klientët dhe rrjedhimisht po kemi problem në funksionimin e biznesit. Është e vërtet që kontejnerët janë vendosur para se me hap lokalin, por objekti ka qenë tepër i prapambetur”, deklaroi ai.
Ky objekt është i mbrojtur si trashëgimi kulturore, pasi më parë ka qenë muze, ndërsa në vite më të hershme ka shërbyer si hamam.
Kërkesën e Zenelajt drejtuar Komunës, e ka përkrahur edhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë.
Ndërkaq, Irfan Peci, zyrtar i Mjedisit në Komunën e Mitrovicës, thotë se pikat ku vendosen kontejnerët janë të përcaktuara nga Kuvendi i Komunës.
Sipas tij, mundësia e vetme është zhvendosja disa metërshe e kontejnerëve.
“Ne u kemi premtuar se jemi duke bërë përpjekje që sadopak me rregulluar gjendjen. Mund të bëjmë ndonjë zhvendosje prej 4-5 metrash, por në terren ende nuk kemi gjetur ndonjë zgjidhje. Zgjidhja nuk është e lehtë, për arsye se jemi në mes të kërkesës së pronarit dhe kërkesës së banorëve, sepse edhe ata dikund duhet me i gjuajt mbeturinat”, ka thënë Peci.