Biznesmenët shqiptarë në Danimarkë, të interesuar të investojnë në Skenderaj
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur në një takim Naim Kadishanin, përfaqësues i kompanisë “Tembobyg” nga qyteti Give i Danimarkës, i cili është një investitor i suksesshëm në fushën e ndërtimtarisë.
Kadishani që shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, është interesuar për klimën e investimit në Komunën e Skenderajt, ndërkaq kryetari Jashari e ka njoftuar atë duke theksuar sigurinë që ofron Komuna sa iu përket investimeve nga jashtë. “Shprehu interesim të investojë në komunën tonë, me hapjen e një fabrike, që do të mundësojë zhvillim ekonomik dhe punësim të të papunëve. U pajtuam që të vazhdojmë të mbesin në kontakt, për hapat që do të ndërmerren në vazhdim sa i përket realizimit të projekteve në Skenderaj”, ka thënë kryetari Jashari.
Ai ka shtuar se në këtë takim kanë diskutuar edhe për mundësinë e binjakëzimit të Skenderajt me Komunën Sønderborg, dhe bashkëpunimit në shumë fusha të interesit të përbashkët.
/Epoka e re/