Biznesmeni i LDK-së i reagon partisë së tij: Sektori privat vendos vet për përfaqësimin në borde
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), biznesmeni Hashim Deshishku ka reaguar ashpër pas miratimit të një amendamenti të Ligjit për Shoqëritë Tregtare që ka të bëjë me përfshirjen e grave në Bordet e shoqërive aksionare me kuotën 40 për qind që është propozuar nga deputetja Mimoza Kusari.
Ky amendament është kundërshtuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani meqë sipas tij kjo është ndërhyrje në çështjet e sektorit privat.
Deshishku është shprehur si habitur se si partia e tij ka mundur të propozojë që në kompani private të jenë me ligj mbi 40 për qind femra.
Ai nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se sektori privat vendos vet se kush duhet të jetë anëtar i Bordit.
“Jam i habitur si mundet LDK-ja (Parti e djathtë) me propozu në kompani private të jenë me ligj në Borde të jenë 40% gjini femërore. Sektori privat vendos vet se kush duhet të jetë anëtarë i Bordit femër apo mashkull. Për arsyeje se sektorit privat i interesojnë vetëm kualiteti e jo gjinia. Nëse e meritojnë gjinia femërore pse mos të jenë në Borde. 100% . ZOT BONE HAJR…..”, ka shkruar Deshishku.
Ky amendament po ashtu është kundërshtuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i Nimës, Bilall Sherifi.