Biznesmeni mitrovicas, siguron transportin falas për protestuesit në Hagë më 3 prill: “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”
Do të protestohet më 3 prill në Hagë, qytetin holandez ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale.
Organizmi vjen nga shqiptarë të diasporës, të cilët në ditën e fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të kërkojnë drejtësi dhe shfaqin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
Organizatorët e protestës bëjnë thirrje për dalje sa më masive këtë ditë dhe jo vetëm shqiptarë të diasporës, por ftojnë edhe qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë paqësore.
Biznesmeni dhe humanisti mitrovicas, Agron Zeneli, ka siguruar transportin falas për të gjithë protestuesit nga disa vende
Shqiptarët e diasporës po shprehen të pakënaqur me proceset që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas tyre, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces politik.
Ata nuk kundërshtojnë gjykatën, por i bëjnë asaj thirrje për vendosje të drejtësisë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Një leje për organizim të protestës tashmë është siguruar nga autoritetet holandeze dhe qytetarët pritet të mblidhen në rrugën “Laan van Reagan en Gorbatsjov”, Den Haag, me 3 prill nga ora 09:00 deri në 12:00.
Po më 3 prill, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.(jepi zë)