Biznesmeni nga India interesohet për të investuar në Kosovë
Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka pritur të mërkurën në një takim drejtorin e kompanisë “SARA-GROUP” nga India, Deepit Singh së bashku me bashkëpunëtorë.
Fillimisht ministri Lekaj e ka falënderuar udhëheqësin e kësaj kompanie për interesimin e tij për të investuar në Kosovë. “Drejtori i ‘SARA-GROUP’, Deepit Singh, erdhi me një prezantim të kompanisë, duke e siguruar ministrin për seriozitetin e kësaj kompanie për të investuar në Kosovë, përkatësisht në fabrika në territorin e Gjakovës dhe në vende tjera në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës (MI).
Sipas këtij njoftimi, Lekaj ka njoftuar bashkëbiseduesin për projekte të mëdha që do të implementohen në Kosovë. “Në ketë drejtim investitorët, si ata të brendshëm poashtu edhe nga jashtë, do ta kenë mbështetjen nga ana e Qeverisë Haradinaj, konkretisht Ministrisë së Infrastrukturës gjithnjë në koordinim me qeverisjen lokale të komunave”, është thënë në njoftimin e MI-së.