Biznesmeni Rexhepi dyshohet se është vrarë për 30 mijë euro, prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy të dyshuarve
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka bërë me dije se biznesmeni Bedri Rexhepi dyshohet se është vrarë për 30 mijë euro.
Prokurori i rastit në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për krime të rënda, Armend Hamiti, ka deklaruar se tashmë janë njoftuar familjarët se gjetjet mortore të gjetura gjatë javës së kaluar në Novobërdë i takojnë trupit të Bedri Rexhepit.
“Dje gjatë ditës kam informuar familjarët e viktimës se nga mjekësia ligjore krahasimi i gjetjeve dhe të dhënat nga raporti stomatologjik para vërejtjes dhe rrethanat e tjera të shpërjerjes është vërtetuar identiteti i stërvitkam”, ka thënë ai.
Hamiti ka thënë se pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive është arritur të vërtetohet dyshimi i dhe është ngritur aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Rexhep Vllasaliu për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale pas hetimit tonë që ka zgjatur rreth 18 muaj rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të dëmtimit material, gjegjësisht në shumën 30 mijë euro. Të akuzuarit kanë besuar se tashmë i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon dhe me këtë rast e kanë ekzekutuar. Është pranuar një informacion i parë në lidhej me një automjet të braktisur të gjetur në një arë në fshatin Sushicë, rruga për në Janjevë, që ka qenë xhip ngjyrë hiri. Vetura ka qenë e mbyllur, askush s’ka qenë me të. Është bërë identifikimi se i kujt është automjeti dhe rezultoi se është i tij. Policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë filluar hetimet dhe kanë tentuar të binë në kontakt me pronarin e automjetit e më pas në kontakt me familjarë është zbuluar se nga data 8 prill 2021, rreth orës 16:00 i njëjti ka dalë nga banesa e tij dhe nga ajo kohë s’është parë më nga familjarët”, ka thënë prokurori Hamiti.