Biznesmeni shqiptar në Edmonton kërkon të bëjë ankesë për akuzat në lidhje me imigrimin
Bujar Rushiti pretendon se atij iu dha një këshillë juridike joefektive para pranimit të fajësisë në vitin 2018
Një pronar i biznesit në Edmonton i cili thotë se atij nuk iu dha këshillë e duhur ligjore para se ta pranojë fajësinë për akuzat sipas Ligjit për Imigrim dhe Mbrojtjen e Refugjatëve tani dëshiron të ankimohet për rastin e tij.
Bujar Rushiti, 39 vjeç, u dënua në qershorin e vitit 2018 për paraqitjen e informatave të rreme për të nxitur imigrimin dhe dhënien e pagave substancialisht më pak të favorshme nga ato që u ofruan.
Të enjten Rushiti kërkoi t’i ankimojë ato dënime penale në Gjykatën e Apelit të Albertës dhe ai mbështetej nga dhjetëra anëtarë të familjes, punonjës, miq dhe një grup lokal avokimi të cilët e kishin mbushur sallën.
Në një deklaratë të nënshkruar nën betim Rushiti thotë se shkeljet kishin të bënin me punësimin e përkohshëm të gjashtë punëtorëve të huaj të cilët arritën nga Kosova në majin e vitit 2013.
Gjykatësi Kevin Feehan u rezervua ta japë vendimin e tij pasi dëgjoi parashtresat e prokurores Shelley Tkatch dhe të avokatit mbrojtës Anthony Oliver.
Bujar Rushiti dhe avokati i tij mbrojtës Anthony Oliver duke u larguar nga Gjykata të enjten (Andrea Huncar/CBC)
‘Këshillë e pasaktë ligjore’
Oliver paraqiti argumente se Rushitit nuk i ishte thënë se ai po pranonte fajësinë për vepra penale ose se dënimet do ta pengonin atë të pranohej ose të udhëtojë jashtë vendit.
“Ai nuk është fajtor. Ai dëshiron që rasti të shqyrtohet dhe kjo u mohua”, i tha Oliver gjykatësit ndërsa përkrahësit tundnin kokën në shenjë aprovimi. “Ai u nxit në pranim të fajësisë nga këshilla e pasaktë ligjore.”
Një ankesë parashihet të paraqitet brenda një muaji pas shqiptimit të dënimit, por Oliver tha se rrethanat, sikur koha që kaloi deri te qasja në këshillë ligjore dhe hapja e rastit, arsyetojnë një përjashtim në këtë rast.
Oliver tha se ish-avokati i Rushitit kishte thënë se ankimimi nuk ishte i mundshëm. Ai lëshoi audio incizimin në të cilën avokati mund të dëgjohet duke i thënë gruas së Rushitit: “Ju nuk mund të ankimoni … Nuk ka mbetur asgjë tjetër për të bërë”.
Por Tkatch argumentoi se Rushiti ndihej i penduar pas këtij fakti dhe nuk kishte asnjë provë se ai ishte keqinformuar.
Ajo citoi një deklaratë nën betim që thoshte se pranimi i fajësisë ishte rezultat i presionit nga gruaja e tij. Tkatch tha se Rushiti kishte ndihmën e mbrojtësit me përvojë dhe se gjykata po dëgjonte vetëm njërën anë të ngjarjes.
“Unë i bëj thirrje gjykatës që t’i marrë me kujdes kësi lloj pretendimesh”, tha Tkatch. “Arsyeja është që atij nuk i pëlqen kjo dhe ai shpreh keqardhje për këtë tani.”
Ajo e përshkroi veprën si të ngjashme me trafikimin e qenieve njerëzore, të cilën gjë Oliver e kundërshtoi.
Gjykata mësoi se si Rushiti kishte ikur nga një zonë lufte në Kosovë gati dy dekada më parë. Ai u bë qytetar kanadez dhe filloi një biznes me granit në vitin 2003. Kur u përball me një mungesë të fuqisë punëtore katër vjet më vonë, Rushiti filloi të rekrutojë punëtorë nga Kosova.
Më 29 qershor 2018 Rushiti u dënua me dy vjet burgim me kusht në shërbim të komunitetit.
Rushiti tha të enjten jashtë sallës së gjykatës se çështja ka pasur pasoja shkatërruese për gruan dhe fëmijët e tij, kompaninë e tij “Pristine Granite” si dhe punëtorët e tij.
“Ka pasur një ndikim të madh, të madh”, tha Rushiti. “Unë kam qenë i përqendruar në pastrimin e emrit tim”.
Bujar Rushiti u paraqit në gjykatë bashkë me dhjetëra mbështetës duke përfshirë gruan e tij Shqipen (Andrea Huncar/CBC)
Hetimi i CBSA-së vihet në pyetje
Rasti ngjalli shqetësime për hetimin e Agjencisë Kanadeze të Shërbimeve Kufitare (CBSA), tha Oliver në një intervistë.
Një partner i mëparshëm biznesi i cili mbikëqyri listën e pagave u injorua gjatë hetimit dhe ka prova që dëshmitarëve iu ishte ofruar një leje e hapur pune në këmbim të dëshmisë, tha Oliver, duke përmendur deklarata nën betim të evidentuara në gjykatë.
Dustin Ritz, një nga 14 punëtorët që punonte për Rushitin ishte në mesin e mbështetësve të tij në gjykatore. Gjatë dy vjetëve sa kishte punuar, ai tha se ai dhe kolegët e tij ishin trajtuar mirë.
“Të gjithë djemtë ishin shumë të lumtur të punojnë atje”, tha Ritz. “Ai ishte i shtyrë të pranonte fajësinë … Ishte ëndrra e tij për të drejtuar atë kompani dhe ata e drejtuan atë drejtpërdrejt jashtë biznesit”.
Burimi:
https://www.cbc.ca/news/canada/edmonton/bujar-rushiti-edmonton-immigration-appeal-crime-1.5360266?fbclid=IwAR3Pgd_sg3ly7T7Mg_pAZlZK3Dfak2WS_8SEXqNh2DGeKZkaHW9pte_it90