Bjellorusia grumbullon trupa ushtarake në kufirin me Ukrainën
Aleati kyç i Rusisë, Bjellorusia ka grumbulluar forca të shumta ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën. Ka qenë vetë Kievi i cili ka ngritur alarmin por në të njëjtën kohë i ka dhënë një paralajmërim Minskut që të mos bëjë gabime tragjike.
Ministria e Jashtme në Kiev tha se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë vërejtur se Bjellorusia “ka mbledhur një numër të konsiderueshëm forcash në rajonin Gomel pranë kufirit ukrainas nën maskën e stërvitjeve”.
Media gjermane Die Welt thekson se u vunë re njësi të reja me tanke, artileri dhe mbrojtje kundërajrore. Përveç kësaj, u identifikuan edhe mercenarë nga ish-trupa ruse Wagner.
Udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko është një aleat i ngushtë dhe mbështetës i presidentit rus Vladimir Putin. BE-ja akuzon Bjellorusinë, ndër të tjera, për vënien e territorit të saj në dispozicion si një zonë skenike për trupat ruse.
Sakaq, Ukraina ka bërë me dije se ka në zotërim një armë të re me rreze të gjatë veprimi, e cila mund të godasë thellë Rusinë pa kërkuar leje nga aleatët, një kombinim i raketave dhe dronëve të vendit që ministri i mbrojtjes u zotua të hënën se do të jepte “përgjigje” për një valë bombardimet ruse.
“Palianytsia” u krijua për shkak të nevojës urgjente, thanë zyrtarët ukrainas, pasi Rusia ka dominuar qiejt që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022 dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vendosur kushte për përdorimin e raketave të tyre me rreze të gjatë veprimi në Rusi.
Të hënën, një valë raketash dhe dronësh rusë shënjestroi infrastrukturën elektrike të Ukrainës në sulmin më të madh të tillë në javë. “Mbrojtësit e jetës nuk duhet të kenë kufizime për armët, për sa kohë që Rusia përdor të gjitha llojet e armëve të veta”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një mesazh Telegram pas sulmeve.
Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov premtoi se arma do të përdoret sërish së shpejti në përgjigje të sulmit gjatë natës në Ukrainë.