Bjellorusia ndalon shumicën e qytetarëve të udhëtojnë jashtë

02 qershor 2021 | 13:11

Bjellorusia ka ndaluar përkohësisht shumicën e qytetarëve që të udhëtojnë jashtë vendit, duke u thirrur në shqetësimet nga pandemia e koronavirusit.

Komiteti Shtetëror i Kufirit i Bjellorusisë ka thënë se ndalimi i udhëtimit zbatohet për të gjithë banorët, përveç për nëpunësit civilë bjellorusë që shkojnë në udhëtime zyrtare, personelin e transportit shtetëror dhe banorët me qëndrim të përhershëm në vendet e tjera.

Komiteti ka shtuar se udhëtimi ajror për qytetarët bjellorusë dhe të huajt mbetet i hapur, me kusht që ata të vetizolohen për të paktën 10 ditë përpara nisjes.

Vendimi për të ashpërsuar rregullat e udhëtimit vjen pasi Bjellorusia, me urdhër të presidentit Alyaksandr Lukashenka, ka detyruar muajin e kaluar një avion komercial, që udhëtonte nga Greqia për në Lituani, të ateronte në Minsk, shkruan “Rel”.

Bjellorusia ka thënë se ka vepruar kështu për shkak të kërcënimit se në bordin e avionit ishte vendosur bombë.

Pas aterimit të avionit, blogeri opozitar, Raman Pratasevich, dhe e dashura e tij që ishin në bord, janë arrestuar.

Në avion nuk është gjetur asnjë bombë.

Veprimi i autoriteteve bjelloruse ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe thirrje për lirimin e Pratasevichit.

Bashkimi Evropian i ka ndaluar fluturimet nga Bjellorusia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë tërë ditës së martë janë zhvilluar garat në Final…