Bjellorusia shton kampet “ushtarake” për jetimët dhe fëmijët e tjerë
Pas protestave të papara prodemokracisë që shpërthyen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në Bjellorusi më 2020, Qeveria nisi një luftë të pamëshirshme ndaj mospajtuesve, duke i burgosur aktivistët, mbyllur mediat e pavarura dhe duke e shkatërruar përgjithësisht shoqërinë civile.
Në mesin e atyre që mbetën më të izoluarit ishin mijëra jetimë dhe fëmijë prindërve të të cilëve iu mohua kujdestaria.
“Në të kaluarën, ka pasur organizata të cilat ofronin alternativa për integrimin dhe socializmin e fëmijëve të tillë”, tha për Current Time Volha Vyalichka, psikologe bjelloruse e fëmijëve dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila iku në Poloni pasi strehimorja e saj për fëmijë në Hrodno u mbyll verën e vitit 2021.
“Tani vetëm shteti u kushton vëmendjen atyre, dhe shteti e ka agjendën e vet”, shtoi ajo.
Ajo ka agjendë është përqendruar dukshëm në aktivitete patriotike dhe ushtarake, në veçanti prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
Jetimët nga shteti dhe nga institucionet e Kishës Ortodokse Bjelloruse janë dërguar në kampe në qendrat ushtarake, janë stërvitur ushtarakisht dhe për përdorimin e armëve nga mercenarët e grupit famëkeq të Rusisë, Wagner, dhe kanë pasur për detyrë t’u shkruajnë letra motivuese ushtarakë rusë në pjesët e okupuara të Ukrainës.
Aktivitetet arsimore “patriotike” të shtetit udhëhiqen bashkërisht nga ministrive të Arsimit, Mbrojtjes, Emergjencave dhe Punëve të Brendshme. Megjithëse kampe të tilla për fëmijë të cenueshëm veprojnë prej vitit 2007, lufta në Ukrainë dhe sundimi autoritar në Bjellorusi e kanë bërë këtë prioritet qeveritar.
Në dhjetor 2020, për shembull, Ministria e Mbrojtjes dhe policia OMON e Minskut pritën një grup të jetimëve gjatë shfaqjes së armëve dhe automjeteve. Sipas një raporti shtetëror, një 12-vjeçar veshi një jelek antiplumb dhe një helmet, duke e provokuar një fëmijë tjetër të bërtasë se ai dukej si një “kolonel i vërtetë!”
Shefi i njësitit Minsk OMON u citua të ketë thënë se ata kishin bërë gjithçka “për t’i bërë fëmijët të ndiheshin sikur të ishin në një atmosfetë të ngrohtë familjare”.
Ngjarje të tilla janë bërë të zakonshme. Në prill, Ministria e Arsimit raportoi për një sërë ngjarjesh që përfshinin më shumë se 100 fëmijë me nevoja të veçanta dhe jetimë, të cilët u takuan me parashutistët dhe u inkurajuan t’u shkruanin letra ushtarëve. Sipas raportit, “parashutistët folën me fëmijët, i njoftuan ata me armët moderne dhe bënë fotografi” në kuadër të projektit të quajtur Kindness+Courage.
Numri i kampeve për jetimët dhe fëmijët e tjerë të pafavorizuar, të pritur nga njësitë ushtarake, është rritur në mënyrë të qëndrueshme prej vitit 2020. Në vitet 2021 dhe 2022 kishte rreth 480 sosh, raportuan mediat shtetërore. Ndërsa, në vitin 2023 u organizuan 583 kampe të tilla me pjesëmarrjen e “gati 6000 fëmijëve”.
Për vitin 2024, Qeveria bjelloruse planifikoi t’i mirëpresë 14.000 fëmijë – duke përfshirë shumë jetimë dhe fëmijë të tjerë nga sistemi i shërbimeve sociale të Qeverisë – në kampet verore “në bazat e strukturave dhe njësive të forcave të armatosura”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.
Kampet drejtohen nga veteranë, mercenarë dhe personeli në detyrë.
Në korrik 2023, Ksenia Lebedeva, komentatore në televizionin shtetëror, postoi një video në Telegram, e cila shfaqte mercenarët e Wagnerit duke e udhëzuar një grup fëmijësh të vegjël në një “klub ushtarako-patriotik”.
“Kjo nuk është Mary Poppins, ju e dini,” shkroi Lebedeva. “Fëmijët tanë po zgjedhin lodrat e duhura dhe mësuesit e duhur.”
Universiteti i Ministrisë së Emergjencave drejton një shkollë të mesme për jetimët, fëmijët e pafavorizuar dhe fëmijët nga familjet me probleme.
Këtë vit, 93 për qind e të diplomuarve nga kjo shkollë planifikonin të studionin në institutet ushtarako-teknike.
“Ka pasur një ndryshim në konceptin e patriotizmit,” tha Katsyaryna Deikalo gjatë një tryeze të rrumbullakët për të drejtat e fëmijëve në Bjellorusi, e cila u organizua nga legjislatura kombëtare e Lituanisë.
“Tani nuk ka të bëjë me dashurinë për Bjellorusinë, por para së gjithash, ka të bëjë me besnikërinë ndaj qeverisë aktuale”, shtoi ajo.
Deikalo theksoi në veçanti pjesëmarrjen aktive të ushtrisë dhe Kishës Ortodokse Bjelloruse, të lidhur me Moskën, në procesin arsimor.
Faqja e lajmeve Mediazona raportoi në vitin 2023 se kisha po drejtonte rreth 20 klube ushtarako-patriotike në të gjithë vendin. Në maj, Ministria e Arsimit autorizoi manastiret ortodokse të hapin strehimore për fëmijët në nevojë.
Prej se Rusia filloi të nxiste një kryengritje separatiste në pjesë të Ukrainës lindore në vitin 2014, disa klube ushtarako-patriotike bjelloruse kanë dërguar fëmijë në kampe paralele në Rusi, ku ata u udhëzuan për “praktikat ushtarake” nga mercenarët rusë nga konflikti në Donbas të Ukrainës, raportoi televizioni shtetëror bjellorus më 2016.
Psikologia e fëmijëve Vyalichka tha se jetimëve dhe fëmijëve të pafavorizuar u mungojnë modele të të rriturve për t’i ndihmuar ata ta kuptojnë mjedisin e ideologjizuar dhe të militarizuar në të cilin gjenden.
“Edhe pse fëmijët me prindër shpesh mund ta përballojnë këtë, edukimi ushtarak-patriotik është shumë më i lehtë me jetimët”, tha ajo.
Për më tepër, kufizimet e rrepta në internet dhe qasja në informacion në jetimore bëjnë që këta fëmijë të jenë edhe më të cenueshëm.
“Jetimët janë fëmijë të traumatizuar që kanë humbur lidhjen e tyre kryesore mbështetëse”, shtoi Vyalichka.
“Prandaj çdo i rritur që u jep ndonjë karamele ose thotë disa fjalë të mira, shihet si një lloj mbrojtjeje. Ata do të perceptohen nga këta fëmijë si hero pozitiv dhe shembull”, sipas saj.
Në një seancë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në mars 2023, Shoqata Ndërkombëtare për Pajtim (IFOR) shprehu alarmin për “programet bjelloruse për trajnimin ushtarak të fëmijëve”, duke thënë se më shumë se 1.,000 fëmijë “deri në moshën 6-vjeçare” kishin kaluar nëpër trajnime – që përfshinin përdorimin e armëve të zjarrit – në vitin 2022.