Bjellorusia thotë se 9 mijë trupa ruse do të vendosen atje
Ministria e Mbrojtjes në Minsk ka njoftuar se më pak se 9.000 trupa ruse do të vendosen në Bjellorusi, si pjesë e një “grupimi rajonal” të forcave që ajo pretendon se janë të nevojshme për të mbrojtur kufijtë e saj.
“Grupet e para të trupave ushtarake ruse që janë pjesë e (grupimit rajonal) filluan të mbërrijnë në Bjellorusi”, shkroi në Twitter Valery Revenko, kreu i departamentit të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar të ministrisë së Mbrojtjes.
Ai tha se “zhvendosja do të zgjasë disa ditë” dhe do të përfshijë “pak më pak se 9,000 njerëz”.
Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, një aleat i ngushtë i liderit rus Vladimir Putin, tha më 10 tetor se Ukraina po përgatit një sulm ndaj territorit të shtetit të tij.
Ai tha se Rusia dhe Bjellorusia do të dislokojnë një task-forcë të përbashkët ushtarake, pranë kufirit ukrainas.
Bjellorusia varet financiarisht dhe politikisht nga Rusia.
Forcat ruse e kanë përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke dërguar ushtarë dhe pajisje në veri të Ukrainës, përmes bazave në Bjellorusi.