BJER O SHI

28 maj 2021 | 15:57

Nga: Ilir Shaqiri

Nga e hëna në të hënë

mëngjeset me shi…,

ku mund ta kem harruar

ombrellën e fundit,

shpupuris në mendje, por…,

nuk mund ta di.

Kësaj stine i humba shtatë…,

ooo mendje e harrueshme

gjethe zverdhura e thatë…

Në dyqanin përtej bulevardit

ku shitet gjithçka,

kërkoj një ombrellë?

Shitësja më thotë: nuk ka,

asnjë nuk ka mbetur…,

sakaq para meje

shtrin dorën

një bukuri e rrallë

paksa qerpikë fjetur.

Në dritarezën e dyqanit

ajo derdh dy pare…

– Kujdes, i tha shitësja,

– prit radhën,

duhet pak mirësjellje,

apo nuk sheh fare?

Më pa qerpikë fjetura

me ata sy të thellë…

– S’ju them tungjatjeta,

u përgjigj ajo,

– burrave pa ombrellë,

qullen nëpër shi

e mendja çfarë s’u pjell!

Mori çfarë iu desh,

ktheu kokën mënjanë,

flokët i rrëzoi mbi shpinë,

o Zot…, ku do t’ndalet,

ku e ka shtëpinë?

Seç më erdhi në mendje

ajo e moçmja këngë:

Flokët e zeza t’i qes përmbi,

lagët dada e s’lagesh ti!

Dhe, e mori urbani

flokëzezën,

flokëshpeshtë,

që s’përfillte shiun

as pritjen në rresht.

Bash si një gjethe vjeshte

u humba pa uzdajë,

duke pëshpëritur nga brenda:

Lum ai që i ka ombrellë

flokët e saj!

ISh

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Mitrovicës nga sot ka filluar ekzekutimin e pagesave…