
BKK çel ekspozitë, përkujton dhe nderon familjen Jashari
Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, heroizmit dhe flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot ka hapur ekspozitën kushtuar veprës heroike dhe rënies së Jasharëve të Prekazit.
“Sot, për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, heroizmit dhe flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, hapëm ekspozitën kushtuar veprës heroike dhe rënies së tyre.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur materiale nga fondi i Bibliotekës, gazeta të periudhës dhjetor 1991-mars 1998.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 mars 2025.
Gjithmonë do ta kujtojmë me nderim dhe përulësi sakrificën e familjes Jashari dhe të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut.
Epopeja e UÇK-së është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit tonë. Ajo simbolizon rezistencën, sakrificën dhe luftën për liri.
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!”, shkruhet në llogaritë e Bibliotekës Kombëtare në rrjete sociale.