![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/biblioteka.jpg)
BKK-ja dhe Biblioteka e Kongresit fillojnë bashkëpunimin për shkëmbimin e materialeve
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka e Kongresit në ShBA kanë filluar bashkëpunimin ndërkombëtar për shkëmbimin e materialeve.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka nisur një bashkëpunim të rëndësishëm me Bibliotekën e Kongresit në ShBA përmes programit të shkëmbimit ndërkombëtar, Duplicate Materials Exchange Program (DMEP). Ky program do të mundësojë shkëmbimin e librave, monografive, revistave dhe materialeve të tjera akademike me fokus në shkencat shoqërore”, ka njoftuar BKK-ja nëpërmjet një komunikate dërguar medieve.
Po ashtu, BKK-ja ka bërë me dije se në takimin e mbajtur më 5 shkurt 2025, përfaqësues nga Biblioteka e Kongresit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Blerina Rogova Gaxha dhe zv/drejtoresha e Departamentit të Zhvillimit të Koleksioneve, Lavdie Mani, janë pajtuar për fillimin e këtij bashkëpunimi, duke nisur me përzgjedhjen e materialeve të para për shkëmbim nga të dyja palët. “Ky hap do të mundësojë ndërtimin e një baze të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të programit dhe pasurimin e fondeve të të dy institucioneve.
Biblioteka e Kongresit ka shprehur një interesim të veçantë për pasurimin e fondit të saj me materiale nga Kosova të cilat reflektojnë gjendjen në Kosovë, me synimin për të ndërtuar një koleksion të veçantë kushtuar vendit tonë. Kjo nismë jo vetëm që forcon lidhjet akademike mes dy institucioneve por, gjithashtu, rrit njohjen ndërkombëtare të kulturës, historisë dhe zhvillimeve sociale në Kosovë.
Ky bashkëpunim do t’u japë studiuesve dhe lexuesve ndërkombëtarë qasje më të gjerë në botimet nga Kosova, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë intelektuale të vendit tonë”, bëhet me dije në komunikatën e BKK-së.