BKK-ja nis trajnimin e stafit në fushën e bibliotekarisë

14 shkurt 2025 | 18:14

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka filluar trajnimi për ngritjen profesionale të bibliotekarëve. Trajnimi është organizuar nga Departamenti i Zhvillimit dhe i Përpunimit të Koleksioneve/Divizioni i Katalogimit, në bashkëpunim me Divizionin e Arsimimit Bibliotekar dhe Zhvillimit Profesional, ka dhënë njoftimin Biblioteka Kombëtare e Kosovës në llogaritë e veta në rrjete sociale.

“Trajnimi është i ndarë në tri cikle dhe mbulon tri fusha të rëndësishme të bibliotekarisë, si:

  1. Metodika e përdorimit të tabelës së klasifikimit (KDU)
  2. Metodika e përdorimit të tabelës së emërtimeve lëndore (EM)
  3. Rregullat bazë të përshkrimit bibliografik (ISBD)

Trajnimi është një mundësi e shkëlqyer për bibliotekarët e BKK-së që t’i rrisin njohuritë e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e punës për organizimin e koleksioneve sipas fushave të ndryshme të dijes dhe përgatitjen e stafit për përdorimin e saktë të emërtimeve lëndore. Gjithashtu, ky trajnim ofron udhëzime praktike për zbatimin e standardeve të përshkrimit bibliografik për regjistrimin e materialeve të ndryshme bibliotekare, duke e bërë informacionin më të qasshëm dhe më të shpejtë për përdoruesit e saj.

Trajnimi udhëhiqet nga Shkendije Pajaziti, zv/udhëheqëse e Divizionit të Katalogimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Venera Nitaj, zv/udhëheqëse e Divizionit të Arsimimit Bibliotekar.

Fotografitë janë marrë nga llogaria në “Facebook” e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ermir Rashica është larguar zyrtarisht nga Skënderbeu. Njoftimin e ka…