BKK në Panairin e Librit në Lajpcig ekspozon libra dhe organizon tryeza letrare

24 mars 2025 | 15:42

Për Panairin e Librit në Lajpcig 2025,  Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK) ka përgatitur një program të pasur letrar dhe ka përzgjedhur 100 tituj të librave të autorëve nga Kosova për ekspozim

Me moton “Fjalët lëvizin botët” të Panairit të sivjetmë të Librit në Lajpcig 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në stendën të cilën e ka rezervuar muaj më parë, sivjet do të paraqesë disa vepra të autorëve të Kosovës dhe do të organizojë edhe disa aktivitete letrare.

Përpos që do të paraqesë 100 tituj të përzgjedhur të autorëve nga Kosova, Biblioteka Kombëtare ka përgatitur edhe materiale promovuese, duke përfshirë: katalogun e autorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët përfaqësojnë breza dhe gjini të ndryshme letrare, nga poezia dhe proza, te studimet letrare dhe dramaturgjia. “Katalogu përfshin, gjithashtu, botime të përkthyera në gjuhë të huaja, me synimin për ta shtrirë letërsinë shqipe të Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka njoftuar BKK në një njoftim dërguar medieve.

Po ashtu, BKK ka njoftuar se autorët e përfshirë në këtë katalog janë nga Kosova dhe diaspora, duke pasuruar mozaikun e letërsisë shqipe me perspektiva të ndryshme artistike dhe tema universale. “Veprat e tyre eksplorojnë historinë, kujtesën, identitetin, përvojën e migrimit, dashurinë, sfidat shoqërore dhe filozofinë e ekzistencës, duke ofruar një pasqyrim të gjerë të realitetit të Kosovës ndër vite”, bëhet me dije në njoftim.

Po ashtu, BKK ka shtypur edhe broshurën me titujt e librave që do të ekspozojë. Autorët e përfshirë në këtë broshurë vijnë nga Kosova he nga diaspora, duke pasuruar mozaikun e letërsisë shqipe me perspektiva të ndryshme artistike dhe tema universale. Veprat e tyre eksplorojnë historinë, kujtesën, identitetin, përvojën e migrimit, dashurinë, sfidat sociale dhe filozofinë e ekzistencës, duke ofruar një pasqyrim të gjerë të realitetit të Kosovës ndër vite”, thuhet në njoftim.

Duke i sjellë këto vepra para një audience ndërkombëtare, Kosova jo vetëm që forcon praninë e saj letrare në Evropë, por edhe nxit dialogun, shkëmbimin dhe bashkëpunimin mes autorëve, botuesve dhe lexuesve.

Gjithashtu, BKK ka shtypur edhe fletushka dhe materiale të tjera promovuese, të cilat ofrojnë një pasqyrë të pasurisë dhe diversitetit të letërsisë shqipe.

Krahas promovimit të letërsisë dhe të autorëve në këtë mënyrë, BKK do të zhvillojë edhe disa ngjarje promovuese:

Ngjarja e parë është “Letërsia nga Kosova”, e cila do të organizohet më 28 mars, nga ora 13:30, me autorin Qerim Ondozi dhe botuesen Feride Berisha, me përkthim nga Zuzanna Finger.

Ngjarja e dytë është “Kujtesa individuale dhe kolektive”, e cila do të organizohet më 29 mars nga ora 15:00 me autorin Ag Apolloni, i cili do të përurojë romanin “Red Riding Hood: Fairytale for Grown Ups” të përkthyer në gjuhën angleze. Ngjarja realizohet me përkthim nga Zuzana Finger.

Në bashkëpunim me rrjetin letrar “Traduki”, Biblioteka Kombëtare më 29 mars, me fillim nga ora 11:00, organizon ngjarjen “Gjuha, migrimi dhe letërsia në Kosovë” me autoret Blerina Rogova Gaxha dhe Jehona Kicaj dhe me përkthim nga Zuzana Finger.

Pjesëmarrja e Kosovës në Panairin e Librit në Lajpcig realizohet në bashkëpunim me rrjetin letrar “Traduki”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të hënën…