BKK përkujton Kristoforidhin në 130-vjetorin e vdekjes, paraqet botime të rralla

07 mars 2025 | 16:00

130 vjet më parë ka vdekur shkrimtari shqiptar Kostandin Kristoforidhi (1827-1895). Në këtë përvjetor jubilar, figurën dhe kontributin e tij arsimor, shkencor dhe letrar e ka përkujtuar Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e cila në rrjete sociale ka publikuar disa prej librave të tij të vjetër dhe të rrallë të cilët i ka në Divizionin e Koleksioneve të Veçanta.

“Në 130-vjetorin e vdekjes, përkujtojmë shkrimtarin shqiptar Kostandin Kristoforidhi (1827-1895). Kristoforidhi ka qenë përkthyes, studiues i gjuhës shqipe dhe një ndër autorët më me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Vepra kryesore e tij, për të cilën punoi më shumë se njëzet vjet, është “Fjalori i gjuhës shqipe” me 11 675 leksema, i përpiluar në toskërisht me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat.

Kristoforidhi ka shkruar tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe, njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë “Gjaja e Malësorvet” (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet.

Një prej kontributeve të tjera të tij është në fushën e përkthimeve. Ai ka përkthyer vepra të njohura nga letërsia botërore në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në pasurimin e gjuhës shqipe përmes letërsisë së huaj. Përkthimet e tij ishin një mjet i rëndësishëm për lidhjen e kulturës shqiptare me kulturat e tjera.

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Kristoforidhit ishte angazhimi i tij për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare. Ishte mbështetës i Rilindjes Kombëtare dhe ka marrë pjesë në aktivitetet kulturore dhe politike të kohës. Me veprat që shkroi dhe botoi u bë një nga figurat kyçe të përpjekjeve për shpëtimin e identitetit dhe gjuhës kombëtare, duke u munduar ta ruante dhe zhvillonte pasurinë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kristoforidhi ishte, gjithashtu, një njeri i shquar në veprimtarinë edukative. Ai kontribuoi për ngritjen e shkollave dhe mbështeti përpjekjet për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Ai e kuptoi rëndësinë e arsimit për zhvillimin e kombit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, prandaj angazhimi i tij në fushën e arsimit ishte pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij.

Me vepra dhe kontribut Kristoforidhi ka lënë gjurmë të thella në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare, prandaj vazhdon të vlerësohet dhe nderohet.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Divizionin e Koleksioneve të Veçanta, i ruan me përkushtim të madh disa prej veprave të tij të botuara për herë të parë”, ka shkruar BKK në rrjete sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ditë më parë me…